REVISTA VLERA - PREZANTIMI
REVISTA VLERA - PREZANTIMI 29.07.2014 | 15:39
Bismil-lahir-rahmanir-rahim.
Në emër të Allahut të Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! 

Lexues të nderuar!
Kultura e leximit dhe shkrimit të bukur është mënyra më e mirë që njeriun ta bëjë të lumtur, ndërsa jetën e tij të pavdekshme në të dy botët. Arti i veçantë i Shkrimit të Shenjtë ka përfituar zemrat e milionave njerëzve që nga shekulli VII e deri në ditët e sotme. Andaj, Këshillat Hyjnore kurrë nuk vjetërohen, ato janë si një shpirt i paprekur që mund ta ndiejë çdokush e të kënaqesh me orientimet e tij frytdhënëse. 
Duke qenë në shoqërinë e këtyre vlerave, a ka zbukurim më të bukur kur në një familje shqiptare të shfletohet një revistë siç është “VLERA” . Kjo do t’iu sjellë në ambientin tuaj familjar harmoni, diskutim, njohuri të reja, motivim për punë të mira, bashkëpunim, qetësim shpirtëror, pra kjo do të fusë në familjet tuaja një sistem komplet të bukurisë së të jetuarit.
“VLERA” do të dëshmojë dhe manifestojë vlerat etiko-morale, tradicionale, religjioze dhe shoqërore, duke sendërtuar pozitën më të bukur dhe më të ndritur në shoqëri anë e mbanë botës shqipfolëse.
Nëse një shoqëri apo individ, heq dorë nga vlerat fetare dhe ngjarjet kulturore, atëherë kjo do të thotë që ky individ, apo kjo shoqëri ka pësuar një ndryshim apo ndërrim, andaj Allahu i Lartësuar në Kuranin Famëlartë thotë se “Allahu nuk e ndërron një popull , gjersa ata vetveten nuk e ndërrojnë....” ( Surja Ra’ad 11). 
Identitetin dhe personalitetin e njeriut e të shoqërisë e formojnë vlerat njerëzore dhe fetare, të përfituara nga infrastruktura shkencore dhe filozofike, kultura kombëtare regjionale dhe traditat e vendit. Andaj, çdo shoqëri, e cila dëshiron të formojë identitetin e vet të pavarur duhet të punojë në këtë drejtim që mos të lë anash vlerat kombëtare,  fetare dhe tradicionale. 
Për shkak se faktori kryesor në institutin familjar është gruaja, ndërrimet dhe fuqizimet e vlerave njerëzore më së shumti reflektojnë tek ajo. Puna jonë e shenjtë në revistën “ VLERA” është që të punojmë në ngritjen e personalitetit të gruas, e pastaj familjes, në drejtim të edukimit dhe arsimit të grave në frymën etiko - morale dhe fetare, sepse feja është orientim i vetëm ku gruaja e gjen personalitetin përmes vlerave të saj njerëzore. 
Pa asnjë mëdyshje themi se ne jemi ato që kemi forcë e vullnet që ta rikonstruktojmë botën, duke avancuar civilizimin kulminant të bazuar në ligjet e Krijuesit të Vërtetë për të mirën e femrës dhe familjes në përgjithësi.
Ja pra është “VLERA” më tepër se çdo orientim (apo vlerë) tjetër. Kjo e përbën njeriun në penë dhe në shkrim.
 

Mundi dhe përpjekja nga ne, suksesi nga Zoti!